Regjisori Petri Bozo do të vijojë të qëndrojë në paraburgim. Gjykata e Apelit ka rrëzuar ankimin që regjisori e paraqiti përmes avokatit ku kërkonte një masë më të butë sigurie lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e 25 majit, ku përplasi për vdekje me makinë një të mitur. Mbrojtësi ligjor kërkoi lirimin e klientit të tij dhe shpalljen të paligjshëm të arrestimit.
Pas dëgjimit trupa lë në fuqi masën e marrë nga gjykata e Shkallës së Parë Elbasan për qëndrimin në qeli deri në mbylljen e hetimeve.
Aksidenti tragjik ndodhi në aksin nacional “Elbasan–Librazhd” në fshatin Mengël, ku automjeti i drejtuar nga regjisori Petri Bozo përplasi për vdekje të miturin 7-vjeçar përballë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”. Asokohe pas ngjarjes, në gjyq regjisori Petri Bozo deklaroi se nuk ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të lartë. Megjithatë, grupi hetimor doli në përfundimin se mjeti ka qenë në lëvizje tej normave të lejuara për zonën ku ndodhi aksidenti.
Në momentin e aksidentit, 7-vjeçari ndodhej pranë rrugës së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë. Vetë 7-vjeçari i ndiqte mësimet në turnin e pasdites në të njëjtën shkollë. (A2 Televizion)