
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe strukturat e Bashkisë Vlorë kanë vijuar aksionin për shembjen e objekteve të ndërtuara mbi kanalet kulluese të qytetit.
Gjatë kësaj të marte, një tjetër objekt është shembur në lagjen “Kushtrimi”, pasi ndodhej mbi kanalin kullues të zonës. Bëhet fjalë për një market, i cili, sipas autoriteteve, nuk dispononte dokumentacion të rregullt pronësie.
Shembja e objektit synon t’i hapë rrugë rehabilitimit të kanalit kullues dhe përmirësimit të sistemit të kullimit në këtë zonë, shkruan A2CNN.
Ky nuk është rasti i parë. Që prej nisjes së projektit janë shembur edhe objekte të tjera përgjatë të njëjtit kanal kullues, i cili shtrihet nga zona kodrinore mbi Spitalin Rajonal të Vlorës deri në derdhjen e tij në hidrovor.
Aksioni është pjesë e një projekti të Bashkisë Vlorë për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese, me synim uljen e rrezikut të përmbytjeve. Vlora është një nga qytetet që ndër vite është përballur me probleme të përsëritura të përmbytjeve gjatë reshjeve intensive. (A2 Televizion)