
Mediat italiane raportojnë se familja Çela ka paditur në vendin fqinj ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, për shkak se kërkoi sekuestrimin e pasurive me vlerë miliona euro të tyre, që më pas u hoqën nga sekuestro pasi u vërtetua se ishin siguruar përmes burimeve të ligjshme.
Në korrik 2025, një operacion i përbashkët mes SPAK dhe Guardia di Finanza-s çoi në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona. Sipas hipotezës së autoriteteve shqiptare, një ndërtesë në rrugën Murari Bra, ku ndodheshin rreth 30 ambiente tregtare dhe zyra, si dhe një kompleks në Nogarole Rocca, ishin blerë nga kompania Meral Srl, në pronësi të familjes Çela, me para që dyshohej se vinin nga aktivitete të paligjshme, veçanërisht trafiku i kokainës.
Por më 4 gusht 2025, gjyqtarja e hetimeve paraprake Paola Vacca vendosi anulimin e masës së sekuestrimit dhe kthimin e pasurive te pronarët. Sipas vendimit, dokumentacioni i paraqitur nga avokatët e familjes Çela tregonte se pasuritë ishin blerë me të ardhura nga aktivitete të ligjshme, raportojnë mediat italiane, transmeton A2. Po ashtu, sipas mbrojtjes, anëtarët e familjes nuk rezultonin të dënuar apo të hetuar në procese që kishin përfunduar me dënim.
Pas vendimit për heqjen e sekuestros, përfaqësuesi ligjor i Meral Srl denoncoi për kallëzim të rremë kreun e SPAK asokohe, Altin Dumani. Prokuroria e Veronës kërkoi fillimisht arkivimin e çështjes, por gjyqtari Enrico Zuccon vendosi që të kryheshin hetime shtesë.
Prokuroria italiane duhet të verifikojë dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare dhe nëse Tirana kishte dijeni për vendimet e mëparshme të arkivimit të hetimeve ndaj familjes Çela.
Mbrojtja e Dumanit ka kërkuar sërish arkivimin, duke pretenduar se denoncimi synon ta bëjë prokurorin shqiptar të papërshtatshëm për hetime të tjera. Për momentin, çështja nuk është arkivuar. Prokuroria ka dy muaj kohë për verifikimet dhe më pas palët do të paraqiten sërish para gjyqtarit. (A2 Televizion)