Zjarri në pallatin e lartë te Shkëmbi i Kavajës, 6 persona të asfiksuar dërgohen në Spitalin e Durrësit

Nga A2 CNN
3 Gusht 2026, 22:01 | Kronikë

Zjarri në pallatin e lartë te Shkëmbi i Kavajës, 6 persona

Disa persona kanë mbetur të asfiksuar nga tymi i shpërndarë pasi një zjarr përfshiu një apartament në një pallat të lartë te Shkëmbi i Kavajës. Sipas asaj që mëson A2 CNN ata janë dërguar në Spitalin e Durrësit.

“Sipas të dhënave paraprake, 6 shtetas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Ata janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia e Durrësit.

Forcat zjarrfikëse që mbërritën në pallatin 30-katësh kanë pasur vështirësi në zbritjen e banorëve dhe turistëve që ndodheshin të akomoduar aty, për shkak të bllokimit të ashensorit dhe tymit.

Zjarri ka rënë në një apartament, por tymi është shpërndarë në pjesë të konsiderueshme të godinës 30-katëshe.  Sipas policisë, rreth orës 20:30, në katin e 9-të, ka rënë zjarr në një apartament në pronësi të shtetasit Enver Shala. “Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të MZSH-së. Zjarri është shuar dhe situata është vënë nën kontroll”, tha policia.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos