Akuzohet si ekzekutori i Ardian Nikulajt, Prokuroria e Lezhës kërkon burg përjetë për portugezin

Nga Igli Çelmeta
3 Mars 2026, 10:14 | Kronikë

Pas dy vitesh e gjysëm procesesh gjyqësore në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria ka dhënë pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj.

Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën. Sipas Prokurorisë, ai është autor i vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin, krim që tronditi opinionin publik asokohe.

Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”. Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku biznesmeni Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e tij. Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.

Sipas prokurorisë vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia për motive gjakmarrje. Të përfshirë si ndihmës edhe 4 shtetas britanikë. Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur që në vitin e largët 1997. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos