Hapet zyrtarisht gara për drejtor të Policisë së Shtetit

Nga Igli Çelmeta
3 Mars 2026, 09:12 | Kronikë

Hapet zyrtarisht gara për drejtor të Policisë së Shtetit

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Ministria e Brendshme hap zyrtarisht garën për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Duke nisur nga sot çdo oficer policie që mban gradën drejtues mund të kandidojë për postin e kryepolicit. Thirrja qëndron e hapur për 7 ditë.

Pas përfundimit të afatit 7-ditor, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore. Më pas komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët.

Komisioni i Posaçëm ngrihet nga ministria e Brendshme dhe përbëhet, nga kryetari që do të jetë një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm dhe dy anëtarë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë.

Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit listën me kandidatët me vlerësimin më të lartë. Kryeministri hedh firmën i fundit. Duke u respektuar të gjitha afatet kohore brenda muajit mars pritet të kemi emrin e ri të drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Emrat që përfliten janë të shumtë, por kësaj herë pritet që mazhoranca t'i besojë drejtimin e policisë një figure të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, për shkak edhe të negociatave me BE.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos