Policia e Shtetit dhe Forcat Xheniere kontrolluan çdo ambient të një shkolle private në Tiranë, pas një e-maili të dërguar se aty do të shpërthente një bombë, shkruan A2 CNN.
Nga kontrollet nuk u konstatua asgjë e dyshimtë, ndërsa hetimet kanë nisur për të identifikuar dërguesit e e-mailit. Për rastin pati një reagim dhe vetë institucioni arsimor jopublik, konfirmoi alarmin e rremë dhe siguroi prindërit për kushtet maksimale të sigurisë në këto ambiente.
Fëmijët e shkollës private nisën të largoheshin disa me mjetet e transportit, e të tjerë merreshin privatish nga prindërit.
Të pyetur nga A2 CNN, prindërit thonë se nuk ndjehen të frikësuar nga kjo situatë, e cila sipas tyre mund të jetë shaka e ndokujt.
Pas kontrolleve në të gjithë ambientin e shkollës, policia tha se nuk u konstatua asgjë e dyshimtë. Ndërsa agjentët e kibernetikës tashmë kanë nisur punën për të zbuluar se nga kush është nisur e-maili në gjuhën angleze në adresë të shkollës. (A2 Televizion)