“Aludime të pabaza dhe skandaloze”, Policia e Shtetit reagon për vrasjen e 42-vjeçarit në Pogradec

Nga A2 CNN
14 Gusht 2024, 11:48 | Kronikë

“Aludime të pabaza dhe skandaloze”, Policia e Shtetit reagon

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka reaguar për rastin e vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga, në Pogradec.

Sipas tij, policia e Pogradecit ka zbardhur ngjarjen në kohë rekord, falë “veprimeve profesionale”.

“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë në Pogradec është i pabazë dhe skandaloz. Në asnjë moment, në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës policie i Pogradecit nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet kjo ngjarje. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, është njoftuar spitali, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona të pranishëm në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve profesionale, që janë të gjitha të dokumentuara, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes në kohë rekord. Është arrestuar autori dhe 3 shtetas të tjerë për mokallëzim krimi. Policia Korçë dha njoftimin e saj zyrtar që u anashkalua, u deformua dhe u mohua madje. Media ju referua vetëm burimeve jozyrtare dhe u ngritën akuza ndaj Policisë së Shtetit. Baltosja e policisë jo vetëm që është e pabazuar, por e dënueshme moralisht dhe ligjërisht”, tha Rrumbullaku.

“Policia do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë transparencën mbi dezinformimin e qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje”, shtoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos