Policia e Shkodrës ka sqaruar ngjarjen e ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Postribë – Prekal, ku një konflikt i çastit përfundoi me plagosjen me armë zjarri të shtetasit Qel Shabaj.
Uniformat blu bëjnë me dije se është arrestuar Kristian Kakia, pasi ka qëlluar në këmbë 43-vjeçarin., ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e forcave “Shqiponja” ndali agravimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Rreth orës 20:40, në Postribë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi K. K., dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Ç. Sh., 43 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e 3 shtetasve për veprime të mëtejshme, mes tyre dhe autori i dyshuar.”
A2 CNN mëson se arma është përdorur pas një konflikti të çastit që lindi pas një kontakti midis mjeteve të Shabajt dhe Kakisë. Fillimisht ka pasur një debat midis të plagosurit dhe autorit të ngjarjes, me këtë të fundit që në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë armën duke e qëlluar 43-vjeçarin në këmbë. Sa i përket të plagosurit, ai ndodhet në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit të llojit pistoletë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)