Një 64-vjeçar në Maliq ka rënë në prangat e Policisë për zjarrvënie, ndërsa një tjetër 68-vjeçar është proceduar penalisht në Burrel me të njëjtën akuzë.
Policia e Maliqit njofton se si pasojë e flakëve u rrezikua një subjekt në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe u dogj një sipërfaqe toke, ndërkohë që ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Ndërkohë në fshatin Kongrazhd, 68-vjeçari ndezi zjarr për të pastruar kullotën e tij dhe si pasojë u dogjën 2 ha tokë.
Njoftimi i Policisë Maliq
Ndezi zjarr për të djegur mbetje bimore dhe nga përhapja e flakëve u rrezikua një subjekt në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe u dogj një sipërfaqe toke, arrestohet 64-vjeçari.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Rreth orës 17:30, të datës 13.08.2024, sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje, në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq kanë shkuar në vendngjarje. Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse është bërë e mundur shuarja e zjarrit, ndërsa si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i zjarrvënies, shtetasi Xh. H., 64 vjeç, banues në fshatin Orman-Pojan.
Ky shtetas ka ndezur zjarr në afërsi të aksit rrugor, për të djegur mbetje bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është rrezikuar një subjekt (firmë frigoriferike) në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe është djegur një sipërfaqe toke.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Njoftimi i Policisë Mat
Ndezi zjarr në fshatin Kongrazhd, për të pastruar kullotën e tij dhe si pasojë u dogjën 2 ha tokë, procedohet penalisht 68-vjeçari.
Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R.N., 68 vjeç, banues në fshatin Drita, Burrel.
Ky shtetas, më datë 13.08.2024, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e barërave në kullotën e tij, e si pasojë e erës, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka djegur një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh me bimësi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon, për të gjithë banorët dhe veçanërisht për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë. (A2 Televizion)