Apeli i GJKKO dënon me 28 vite burg Ilir Selmanin, i akuzuar për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 13:38 | Kronikë
Apeli i GJKKO dënon me 28 vite burg Ilir Selmanin, i akuzuar për
Santiago Malko dhe Ilir Selmani

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos. Ilir Selmani kishte ankimuar vendimin e datës 3 maj të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që e kishte dënuar me 28 vite burg, por Apeli e rrëzoi.

Gjithashtu është dënuar me 7 vite burg, Elvis Gacaj, i akuzuar po ashtu si i përfshirë në vrasjen e ish-policit. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 32 vjet burgim në total për 2 të pandehurit.

Më herët për këtë ngjarje, si bashkëpunëtor në vrasje është dënuar edhe shtetasi Blendi Teta. Ndërkohë një proces gjyqësor në mungesë vijon për dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, të konsideruar si porositës të ngjarjes dhe ndaj 4 personave të tjerë.

Hetimet për vrasjen treguan se motiv për ngjarjen e rëndë u bënë përplasjet e grupeve kriminale në Tiranë. Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Santiago Malko dikur ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos