Avokati Besart Logu është liruar nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, por ndaj tij është caktuar ndalimi i ushtrimit të profesionit, raporton A2 CNN. Vendimi u mor nga Gjykata e Posaçme e Apelit këtë të hënë.
Logu është i dyshuar nga SPAK për "ushtrim të ndikimit të paligjshëm".
Në seancën e mbajtur disa javë më parë në Shkallën e Parë, Logu kërkoi masë më të butë se izolimi në banesë, për shkak se është baba i dy fëmijëve të mitur, nuk rrezikon prishjen e provave që janë mbledhur muaj më parë dhe nuk rrezikon e ka qëllim shmangien e drejtësisë.
Avokati pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se do të vërtetojë pafajësinë e tij. Ndërsa SPAK thotë se avokati i ka marrë një personi të proceduar, shtetas italian, 8 mijë euro me premtimin se do të ndikonte tek vendimmarrja e prokurorëve dhe gjyqtarëve. (A2 Televizion)