Aplikimet në polici për patrullë, 30% e të rinjve dështojnë në testet psikologjike e të drogës

Nga Igli Çelmeta
16 Tetor 2025, 19:10 | Kronikë

Të rinjtë me probleme psikologjike, por edhe përdorues të lëndëve narkotike, po e shohin policinë si një mundësi punësimi. Ky fakt është evidentuar gjatë konkursit për patrullë të përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, ku një pjesë e konsiderueshme e aplikantëve kanë rezultuar me probleme psikologjike dhe përdorues të drogës.

Nga 1 deri më 21 shtator u zhvilluan aplikimet për 350 vende të lira për patrullë të përgjithshme në Akademinë e Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, kandidatët dorëzuan dokumentacionin për aplikim, për t’u përfshirë më pas në fazat përfundimtare të konkursit, testimin me shkrim dhe atë fizik. Para këtyre dy fazave, zhvillohet testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor, ku përfshihet edhe testi i drogës, shkruan A2.

Në të gjithë vendin kanë aplikuar mbi 1 200 të rinj deri në moshën 30 vjeç, sipas kufirit të përcaktuar nga ligji. Burime nga Akademia e Sigurisë bëjnë me dije se faza paraprake e verifikimeve është drejt përfundimit dhe rreth 30% e aplikantëve nuk e kanë kaluar testin psikologjik apo atë të drogës.

Disa prej tyre kanë shfaqur probleme të theksuara emocionale dhe vështirësi në përballimin e stresit, ndërsa një pjesë tjetër kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike. Sipas kritereve të konkursit, të gjithë këta aplikantë do të skualifikohen dhe nuk do të kalojnë në fazën përfundimtare të testit me shkrim dhe atij fizik.

Fituesit që përzgjidhen në fund ndjekin një trajnim 9-mujor në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, përpara se të vihen në detyrë si efektivë të Policisë së Shtetit.

Ky fenomen ngre shqetësim për gjendjen emocionale të të rinjve shqiptarë, të cilët përballen me probleme psikologjike dhe përdorim të lëndëve narkotike që në moshë të re, duke reflektuar krizën sociale dhe mungesën e mbështetjes psiko-sociale në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos