Është vetëdorëzuar në polici autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës. 48-vjeçari Kamber Sulçe, i shoqëruar nga avokati i tij, u paraqit në komisariatin e Tepelenës dhe më pas u dërgua në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Sulçe, banues në Mesaplik të Vlorës, ishte shpallur në kërkim që prej 29 shtatorit si autor i ngjarjes së ndodhur pas mesnatës së 26 shtatorit, në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”. Ai do të japë dëshminë e tij para hetuesve lidhur me motivet dhe rrethanat e krimit, shkruan A2 CNN.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi pas një debati mes Kamber Sulçes dhe Gazment Braçit për dritat e gjata të automjeteve. Pas prishjes së makinës, Gazment Braçi thirri në ndihmë të atin, i cili mbërriti në vendngjarje bashkë me biznesmenin italian. Gjatë përplasjes, Sulçe qëlloi disa herë me një armë gjahu, duke plagosur në femur Edoardo Sarchin, i cili humbi jetën nga hemorragjia e shkaktuar.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit, policia gjeti edhe armë të tjera pa leje. Ai rezulton person me precedentë penal dhe banon rreth 68 kilometra larg vendit të ngjarjes, pranë zonës ku kishte stanin. Ndërkohë, viktima, biznesmeni italian Edoardo Sarchi, jetonte prej më shumë se 25 vitesh në Shqipëri dhe drejtonte një firmë të prodhimit të tjegullave dhe tullave në Tiranë. Natën e ngjarjes, ai ndodhej në Salari të Tepelenës në banesën e familjes Braçi, miq të tij të afërt. (A2 Televizion)