I penduari Erion Alibej: Armët i bleja te një hoxhë, ‘Sky’ përdori edhe politika

Nga Armand Bajrami
16 Tetor 2025, 15:12 | Kronikë

Erion Alibej, një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen "Plumbi i Artë", rrëfeu të enjten në Gjykatën e Posaçme se armët që përdoren në vrasjet e porositura prej tij i merrte tek një hoxhë.

“Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt me dikë që njihej si hoxhë në zonën e Freskut në Tiranë. Kontaktin ia dhashë dikujt tjetër. Kam folur në ‘EncroChat’ dhe ‘Sky’ me të. Nuk e di emrin e tij. Më dërgonte edhe foto të armëve. Hoxhën e kam kontaktuar disa herë dhe kam marrë disa herë armë prej tij. Në ‘Encro’ hoxha mbante pseudonimin 'Noku'”, tha Alibej.

I penduari rrëfeu edhe çmimin e blerjes së armëve dhe se pagesat i kishte dërguar përmes personave të tjerë: “Hoxha ishte tregtar. Ai nuk kishte veç një kontakt. Armët i kishte të grumbulluara. Nuk është se i blija për secilën nga ngjarjet. Pagesën e bëja unë, lekët ia dërgoja Sandër Bahos dhe më pas ai paguante. Çmimi i armëve ka varuar nga 1,000 deri në 3,500 euro.”

Deklarimet e Alibej erdhën si përgjigje të pyetjeve të avokates së të pandehurit Altin Ndoci. Duke dhënë shpjegime për kohën kur përdorte aplikacionet e kriptuara EncroChat dhe Sky, Alibej tregoi se ato nuk përdoren vetëm për ngjarje kriminale, por edhe nga biznesmenë apo ndonjë politikan. Kur u pyet nëse njihte ndonjë të tillë, ai tha: “Nuk di emër politikani, por kam dëgjuar”, shkruan A2 CNN.

Më herët, Alibej pranoi se kishte qenë financues i vrasjes së Dorian Shkozës, ku humbi jetën edhe Anxhelo Avdia, si dhe i vrasjes së vëllezërve Haxhia, Rifers Runajt, Emiliano Ramazanit dhe Bujar Çelës, si hakmarrje për vrasjen e familjarëve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos