Arrest me burg për Ylli Zallën, “u vetëdorëzova, s’kam lidhje me vrasjen e Gilmando Danit”

Nga A2 CNN
19 Gusht 2026, 13:33 | Kronikë

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg ndaj Ylli Zallës, i akuzuar për përfshirjen në atentatin në Rinas, ku mbeti viktimë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri).

Në seancë, prokuroria kërkoi qëndrimin në qeli, duke argumentuar dhe akuzën e gjetjes së një arsenali me armë në banesën e tij. Përmes avokatit, Dritan Gina, Zalla kërkoi masë më të lehtë, duke pretenduar se nuk ka rrezikshmëri të lartë si person.

Sa i përket armëve që iu kapën në banesë në nëntor të vitit të shkuar, mbrojtësi pretendoi se ato ishin prodhim i vjetër, rreth vitit 1982, dhe kanë qenë të hedhura në pjesën e pasme të banesës, në shkurre.

Sa i përket municioneve, avokati shtoi se disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të bëjnë plasjen, apo disa bomba që nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur. Mbrojtësi ka kundërshtuar dhe policinë për mënyrën e arrestit të Zallës.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një vetëdorëzim, pasi klienti i tij kërkon të japë variantin e tij mbi ngjarjen. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe vetë i akuzuar, duke shtuar se po i priste forcat e rendit, duke shtuar se blutë e kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe se duan ta vrasin.

Zalla është dyshuar edhe në shkurt të vitit të shkuar për armët e zbuluara në fshatin ku ai jetonte. Ndërsa një ditë para se të ndalohej, në banesën e tij shpërtheu një sasi eksplozivi. Për ngjarjen policia po heton disa pista, mes të cilave dhe vendosjen e qëllimshme për të marrë azil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos