
Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirit dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte rastësi.
“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho në një bashkëbisedim me gazetarët, përcjell A2 CNN.
Braho shtoi se SPAK do të kërkojë sekuestrimin e avionëve të Beqirajt. “Do keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm ato, por edhe pasuri të tjera”, u shpreh ai.
Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Madje, të mërkurën ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Brenda 40 ditëve, praktika e arrestit duhet t'u përcillet autoriteteve franceze. Nëse jepet pëlqimi, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata, shkruan A2 CNN.
Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t'u marrë në pyetje.
Në dëshminë e tij, ai deklaroi se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.
Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”. (A2 Televizion)