
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim në lidhje me arrestimin në Francë të Ermal Beqirajt, i cili ishte në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Në njoftim thuhet se Beqiraj u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
44-vjeçari po qëndron në paraburgim dhe nesër pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale"”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Shtetasi E.B, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze. Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë”, vijon njoftimi i “bluve”. (A2 Televizion)