Dy shtetas turq janë vënë në pranga nga policia në Tiranë pasi dyshohet se shfrytëzonin dy vajza, një nga Turqia dhe një nga Azerbajxhani, për të prostituuar në kryeqytetin shqiptar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prostitucionit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Foreigners”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit turq M. H. dhe S. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një shtetase nga Turqia dhe një shtetase nga Azerbajxhani, të cilat e ushtronin prostitucionin në një apartament në Rrugën e Barrikadave.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan shtetasja M. H., 27 vjeçe dhe shtetasi S. B., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetaset që ushtronin prostitucion.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2500 euro dhe 200 dollarë të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si dhe 3 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)