Arrestohen dy trajnerët në Sarandë, rrahën me grushte futbollistin e tyre

Nga A2 CNN
26 Janar 2024, 16:58 | Kronikë

Dy trajnerë të klubit sportiv "Butrinti" janë arrestuar nga policia në Sarandë, pasi akuzohen se kanë dhunuar lojtarin e ekipit të tyre, gjatë një ndeshje të Kategorisë së Parë të futbollit.

Specialistët e krimeve në Sarandë, pas marrjes së njoftimit se futbollisti Albi Selimaj ishte goditur me grushte, nisën punën për zbardhjen e ngjarjes, duke zbuluar se 21-vjeçari ishte dhunuar nga trajnerët e tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme gjatë sfidës miqësore me ekipin e Memaliajt dhe lojtari ndodhet i shtruar në spitalin e Sarandës, nën kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N. N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh. M., 45 vjeç (trajner altlet), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim”, sqaron policia.

Trajnerët Neritan Novi dhe Dhiogjen Muço e kanë goditur futbollistin e tyre në dhomat e zhveshjes, për shkak të performancës së tij të dobët në fushë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos