
Arrestohet një 32-vjeçar me inicialet E.Xh., për posedimin e një pistolete “stilolaps”. Ai u arrestua në flagrancë në një lokal në fshatin Podgorie, në Maliq. Shtetasi nuk kishte leje për armën që posedonte dhe ndaj mund të dënohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Deklarata e plotë e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:
DVP Korçë/Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Posedonte pistoletë si stilolaps, me fishekë, kapet në flagrancë në një lokal dhe vihet në pranga 32-vjeçari. Sekuestrohet pistoleta me formën e stilolapsit.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, strukturat e DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan punën dhe lokalizuan shtetasin e dyshuar, në një lokal në fshatin Podgorie, Maliq.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një send i dyshuar pistoletë me fishekë, i ngjashëm me stilolapsin, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin E. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)