Arrestohet edhe turku, "koka" e operacionit të stampimit të veshjeve me marka luksoze false

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 13:26 | Kronikë

Arrestohet edhe turku, "koka" e operacionit të stampimit të

Policia ka vënë në pranga edhe trurin e grupit të goditur në operacionin “Fake Star 5”, që rezulton të jetë shtetasi turk, Ozkan Sulun, i cili koordinonte skemën e stampimit të veshjeve me logo false të markave luksoze, në dy fabrika që ndodheshin në rrugën e Arbrit.

Sipas burimeve, Ozkan Sulun kishte rolin kyç pasi ishte specialisti për makineritë e stampimeve.

Të njëjtat burime thanë për A2 CNN se veshjet vinin nga Kina dhe Turqia dhe pasi stampoheshin në vendin tonë hidheshin në tregun vendas si të ishin origjinale.

Veshjet magazinoheshin në dy fabrikat gjigande të vendosura pranë fshatit Brrar në Tiranë, ku më pas iu stampoheshin logo të markave si Hugo Boss, Calvin Clain, Air Jordan, Tommy Hilfiger, Balenciaga, Valentino, Dolce Gabana, Prada, Philip Plein e të tjerë.

Policia për rastin arrestoi edhe ish-kandidatin e Partisë Demokratike për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, Luan Haka, ndërsa shpalli në kërkim djalin e tij, Liridon Haka i cili po ashtu është bashkëadministrator në një prej fabrikave.

Në pranga përfunduan edhe Ali Bushati e Xhuljo Lecaj, administratorë të fabrikave, si dhe Arjan Hida qiradhënësi i pronave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos