Arrestohet në Durrës 37-vjeçari, kërkohet nga Italia për grabitje shtëpish

Nga A2 CNN
2 Gusht 2024, 12:03 | Kronikë

Arrestohet në Durrës 37-vjeçari, kërkohet nga Italia

Policia e Durrësit ka arrestuar një 37-vjeçar, i cili akuzohet se është pjesë e një grupi kriminal me veprimtari në fushën e vjedhjes në banesa.  

Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Catch”. 

Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar E. M., 37 vjeç. 

Gjykata e Breshias i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest me burg", për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim vjedhje banesash", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos