Një 30-vjeçare, shtetase e Kosovës, është arrestuar në Tiranë pasi kundërshtoi punonjësit e policisë dhe gjithashtu ngiste e dehur makinën. “Arrestimi i saj u bë pasi: Rreth orës 03:50 të datës 21.06.2025, gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar për kontroll dhe verifikim automjetin me drejtues shtetasin E. P., 23 vjeç. Gjatë komunikimit me punonjësit e Policisë, 23-vjeçari ka krijuar dyshime se ky shtetas drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit. Për këtë arsye është kërkuar ndihma e punonjësve të Policisë Rrugore për t’i bërë testin e alkoolit, ku testi i parë ka rezultuar 0.48 mg/l. 23-vjeçarit i është kërkuar të bëjë për herë të dytë testin e alkoolit, në zbatim të procedurës standarde, por ai ka refuzuar të kryejë testin e dytë”, tha policia, raporton A2 CNN.
“Në momentin që punonjësit e Policisë po komunikonin me 23-vjeçarin për të bërë testin e alkoolit, aty ka ardhur me një automjet tjetër shtetasja A. P., motra e tij, e cila ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke i penguar ata të kryenin detyrën. Punonjësit e Policisë i kanë bërë testin e alkoolit edhe 30-vjeçares, në prani të një punonjëseje policie(e cila ka qënë prezent nga momenti i parë e deri në përfundim të të githa veprimeve), ku rezultoi se 30-vjeçarja drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.38 mg/l. 30-vjeçarja është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Gjatë kohës që ndodhej në ambientet e dhomës së shoqërimit, shtetasja A. P. ka goditur me grushte xhamin e dritares së kësaj dhome, duke e thyer atë”.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)