
Një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Fast” është finalizuar me sukses në Shkodër për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga ka rënë 32-vjeçari Franko Broqi, banues në fshatin Kosan, Malësi e Madhe me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Sipas Policisë së Shtetit, 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila-s, Itali, kishte lëshuar urdhër-arrest për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Arrestimi u bë pas veprimeve të mirëkoordinuara operacionale të strukturave të Policisë, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Romë, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë. (A2 Televizion)