Policia parandalon një konflikt mes disa grupeve të miturish në zonën e Kombinatit. Pas marrjes së informacionit për një përplasje të mundshme, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndërhynë në rrugën “Llambi Bonata”, duke shoqëruar të miturit.
Gjatë kontrollit, disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe mjete të tjera të mprehta. Sipas burimeve sherri mes tyre kishte nisur në TikTok, për ngacmimin e vajzave. Më pas konflikti verbal kishte agravuar me paralajmërime duke lënë dhe orar takimi për t'u përballur ne kombinat. Policia ka arritur të marrë informacion konfidencial dhe ka parandaluar ngjarjen duke shkuar në kohë në vendtakimin e të miturve.
Pas shoqërimit në komisariat, për shkak të moshës prokuroria vendosi të ndiqeshin në gjendje të lirë. Por sërish në TikTok pasi u lanë të lirë, të miturit janë "përplasur" duke paralajmëruar për një takim tjetër për t'u përballuar. (A2 Televizion)