Specialistët e Krimeve në kryeqytet kanë referuar materialet në prokurori për shtetasin Jetmir Llanaj, i cili ndodhet aktualisht pas hekurave, si dhe për një 16-vjeçare, e cila është viktimë e përndjekjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Llanaj, së bashku me një person ende të paidentifikuar, kanë përndjekur të miturën, e cila ka përjetuar një gjendje të rënduar psikologjike dhe është vetëdëmtuar lehtë me mjet prerës.
Gjatë marrjes në pyetje për rastin, e mitura ka goditur edhe një punonjëse policie, duke prodhuar një situatë të tensionuar në ambientet e komisariatit Nr. 5 në Tiranë.
A2 CNN mëson se 46-vjeçari Jetmir Llanaj e ka përndjekur 16-vjeçaren në muajin korrik dhe më pas ka nisur ta përndjekë një shtetas tjetër. Ndërkohë, 16-vjeçarja ka shkuar bashkë me prindin dhe ka bërë denoncim në polici për të dyja rastet.
Llanaj aktualisht ndodhet në burg që prej 6 marsit, pasi u arrestua nga policia e Lezhës dhe akuzohet si pjesë e një grupi prej 5 personash që vendoste gjoba tek bizneset.
Sipas policisë, Llanaj përdorte 2 të mitur dhe 2 persona të tjerë që i dërgonte tek bizneset duke përcjellë mesazhet e tij të kërcënimeve për përfitim pasuror të padrejtë. Tashmë ai akuzohet nga policia se ka përndjekur edhe 16-vjeçaren.
Ndërkohë, uniformat blu bëjnë me dije se po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të Llanajt, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)