Tre ditë pasi ushtruan kontrolle në banesën e tij në lagjen “Dobraç”, Shkodër, forcat RENEA vunë në pranga Safet Bajrin, si një nga organizatorët e vrasjes së Fatbardh Licit në vitin 2018.
I lakuari si një nga “të fortët” e Shkodrës, me një të shkuar të theksuar kriminale, ai u arrestua në zbatim të një mase sigurie të lëshuar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK.
Sipas avokatit të tij, Sokol Tahiraj, paraditen e së premtes Safet Bajri është paraqitur me vullnetin e tij në Policinë e Shkodrës, për të dhënë një mostër ADN-je, të kërkuar nga agjentët e BKH-së për llogari të SPAK.
Aty ai është përballur me forcat RENEA, që, pa i dhënë sqarime, e kanë shoqëruar drejt Tiranës, në Drejtorinë Vendore të Policisë.
Në ambientet e jashtme të saj Bajri u shfaq i buzëqeshur me duar të prangosura pas shpine mes një shpure efektivesh të maskuar të RENEA. Pak çaste më pas, atij ju komunikua masa “arrest në burg” pasi dyshohet për vrasje me paramendim, grup kriminal dhe vepra të kryera nga organizata kriminale, shkruan A2.
Zyrtarisht, SPAK njoftoi se Safet Bajri, në bashkëpunim me Behar Bajri (Brajoviç) dhe Astmer Bilali, të arrestuar me herët për dosjen “Metamorfoza” kanë planifikuar, organizuar dhe vrarë me armë zjarri Fatbardh Liçin, i afërm i Ibrahim Liçit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër.
Sipas SPAK, motivi i vrasjes dyshohet ndër të tjera të jetë hakmarrja për vrasjen e Boran Bërçanës, i vrarë më 15 korrik 2018 bashkë me partneren e tij, Silvi Ndoci, pra një muaj para se të vritej Fatbardh Lici, përcjell A2.
Nga hetimi ka rezultuar se Behar Bajri i faturonte Ibrahim Liçit vrasjen e ish-punonjësit të policisë, Bërçana.Ndërkohë, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit i janë komunikuar akuzat e reja që qelitë e paraburgimit.
Pak ditë më parë RENEA zbaroi në Dobraç, zonë me influencë të theksuar të familjes Bajri, ku kontrolloi disa banesa, mes të cilave edhe atë të Safet Bajrit. (A2 Televizion)