Monika Kryemadhi u paraqit këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua mbyllja e hetimit, shkruan A2 CNN.
Në dyert e SPAK ajo tha se nuk do t’i përgjigjej asnjë pyetje të prokurorëve. “Shtatë herë më kanë thërritur dhe nuk përgjigjem. Nuk ka më kuptim. Nuk bashkëpunoj unë më me ata, do të flas ë gjykatë. Që në momentin që merresh e akuzuar, një procedurë që për hir të së vërtetës, duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë”, tha Kryemadhi.
Një ditë më parë, SPAK nisi t'i komunikojë përfundimin e hetimeve të pandehurve të dosjes "Meta". Dje u paraqit në SPAK, Ema Çoku e cila u hetua “pastrim parash”. Të hënën u paraqit edhe Pirro Xhixho. Fletëthirrje nga SPAK për paraqitje i është dërguar edhe Fatime Kryemadhit, të ëmës së Monika Kryemadhit, e cila u paraqit të martën në SPAK.
Ndërsa vetë Metës, përfundimi i hetimit do t’i njoftohet të hënën e ardhshme. Shtyrja e këtij veprimi është kërkuar nga avokati i Metës, Kujtim Cakrani, për shkak të një udhëtimi të tij jashtë vendit. Çështja e Ilir Metës ka kaluar në gjykim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza, korrupsion pasiv, deklarimi ose mosdeklarimi i formularëve dhe pastrimi i produkteve të veprave penale. (A2 Televizion)