Grupi kriminal shqiptar bashkëpunonte edhe me mafien italiane Sacra Corona Unita, ndërsa Durrësi ishte qendra e vendimmarrjes së tyre. Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në vitet e fundit.
Operacioni i Antimafias së Brescias rezultoi në 24 masa sigurie dhe sekuestrime me vlerë 3 milionë euro, ndërsa janë hetuar 49 persona. Nga këta, 21 me masë sigurie arrest në burg dhe tre në arrest shtëpiak.
Hetimi pesëvjeçar zbuloi se grupi importonte kokainë nga Amerika e Jugut, e cila transportohej drejt portave të Evropës Veriore dhe më pas në Itali me kamionë. Droga ruhej në gjashtë baza operative, tre prej të cilave në provincën e Brescias.
Sipas hetuesve, krerët që jepnin urdhërat nga Durrësi janë Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, shkruan A2 CNN. Ata udhëzonin grupet që menaxhonin magazinat në Itali, ku droga ndahej dhe shpërndahej në rrjet të mirëorganizuar.
Një pjesë e parave nga trafiku dërgohej në Shqipëri dhe pastrohej përmes njerëzve të autorizuar dhe bizneseve, ndërsa për transportin logjistik përdorej edhe një kompani e rregullt italiane, ku punonte Giuseppe Iorio, i vendosur në arrest shtëpiak.
Baza e Puglias, e menaxhuar nga Altin Shehaj dhe Vincenzo Bruno, ishte nyja kyçe për furnizimin e drogës dhe lidhej direkt me Sacra Corona Unita. Hetuesit konfirmojnë se rreth 130 kilogramë kokainë janë dërguar nga Amerika e Jugut në këtë linjë.
Ndërkohë edhe pse operacioni ka përfunduar policia shqiptare ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për ekzekutimin e masave, sa janë zbatuar dhe sa jo, por as emrat e personave. Edhe SPAK në njoftimin zyrtar nuk dha emra. Nga përsonat e shpallur në kërkim nga Antimafia 6 ndodheshin në Shqipëri ku vetëm për tre prej tyre është ekzekutuar masa, për Altin Shehaj, Erald Salla (arrest shtëpie) dhe Asti Llupi, ndërsa nuk bëhen të ditur emrat e tre personave të tjerë që nuk janë arrestuar. Ndërkohë në kuadër të hetimeve të këtij grupi SPAK arrestoi edhe oficerin e antiterrorit, Igli Haxhiaj. (A2 Televizion)