
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ftoi trupën gjykuese të shkojë dhe të shohë vetë zbatimin e kontratës konsensionare të Sterilizimit, shkruan A2 CNN.
Ftesa e ish-ministrit u bë në seancën e së hënës ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. “Ndjesë, se do them një gjë, që nuk është brenda procedurës. Kontrata për të cilën jemi këtu mbaron më 8 mars. Unë do të doja të shkoni ta vizitoni vetë realitetin e kontratës. Prokurorët nuk e bënë kurrë. Sepse sipas tyre, u bëmë grup kriminal tre veta vetëm për të vjedhur. Është ftesë, asgjë më shumë. Mbaron për tre javë dhe pastaj nuk ka kuptim”.
Seanca dështoi për shkak të mungesës së 2 avokatëve të Beqajt, të cilët u gjobitën nga gjykata me nga 10 mijë lekë. Seanca e radhës do të zhvillohet më 3.3.2026.
(A2 Televizion)