
Policia ka bërë të ditur se ka ndaluar të dashurin e 18-vjeçares që u plagos në orët e para të së shtunës.
Në spital e reja, e identifikuar me emrin Natali Murati, që kishte marrë një plumb tjeshkues në kraharor, u dërgua nga dy familjarë të të dashurit 22-vjeçar, Erisjaldo Gjuta, që i thanë punonjësve të policisë se e kishin gjetur të plagosur në rrugë pranë rreth-rrotullimit të Fakultetit Ekonomik.
Ndërsa vetë e lënduara, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, tha se ishte vetëplagosur. Pas veprimeve të para hetimore, policia ngriti dyshime për një tjetër version të ngjarjes, çka çoi në arrestimin e 2 anëtarëve të familjes Gjuta dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të dyshuar për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Të arrestuar janë Vladimir Gjuta, xhaxhai i të dashurit të 18-vjeçares, person me precedentë të mëparshëm penale dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta) nëna e të riut.
Nga hetimi ka rezultuar se vajza ishte plagosur në një nga dhomat e hotelit. E reja pretendoi se kishte qenë vetëm në dhomën e hotelit, kur kishte qëlluar veten duke thënë se ‘kishte bërë shumë gabime në jetë’.
Dyshohet se pasi e kanë gjetur të plagosur, dy nga anëtarët e familjes Gjuta e kanë dërguar në QSUT, por të porositur të mos tregonin që u plagos në hotel. Nga ana tjetër, dyshohet se Vladimir Gjuta dhe të tjerët kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe po ashtu fshehur armën me të cilën është plagosur e reja.
Policia vijon hetimet për të gjetur armën, por edhe saktësuar nëse versioni i dhënë nga e reja është i vërtetë. I arrestuari Vladimir Gjuta, është hetuar në vitin 2015 si organizator i vendosjes së një eskplozivi në farmacinë e babait të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, hetim që u pushua për mungesë provash. (A2 Televizion)