Avokati i Ilir Metës, pak pas depozitimit në SPAK të kallëzimit për tre nga efektivët e policisë që arrestuan më 21 tetor kreun e Partisë së Lirisë, tha në protestën para Prokurorisë së Posaçme se ky organ i drejtësisë, së bashku me GJKKO janë kthyer në një Juntë të rrezikshme për Shqipërinë.
“Kjo drejtësi nëse nuk do të funksiononte në këtë formë, kjo mazhorancë do të ishte larguar me kohë. SPAK dhe GJKKO vijojnë dhe persekutojnë opozitën, jo vetëm me dy liderët e opozitës por edhe zotin Salianji dhe zotin Beleri. Ligji është shkelur me të dyja këmbët, të gjithë duhet të jemi në këmbë që të mbrojmë jo vetëm opozitën, por të gjithë shqiptarët nga kjo Juntë që është kthyer në rrezik të madh publik. Këta gjyqtarë duhet t’i thërrasin mendjes”, u shpreh Gjokutaj.
Më tej ai sqaroi se në SPAK janë kallëzuar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe shefi i “Operacionales”, për atë që e cilësoi rrëmbim të Metës.
“U bë kohë që jemi në luftë me një drejtësi të kapur, e cila nuk ka lënë dispozitë të neneve të kodit të procedurës dhe Kodit Penal pa shkelur, me qëllimin e vetëm izolimin e opozitës. Sot kemi depozituar në rrugë postare, kallëzimin ndaj Policisë së Shtetit, Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të policisë dhe Forcave Operacionale, me rastin e rrëmbimit kriminal që ju bë zotit Meta, në arrestimin e tij. Ata kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë konsumuar të gjitha krimet e mundshme që mund të bëjë një shtetas dhe një punonjës i policisë në detyrë. I kemi kërkuar edhe SPAK edhe GJKKO për ta deklaruar ndalimin të paligjshëm, por ata nuk e kanë trajtuar në vendimet e tyre. Sot jemi të detyruar që të denoncojmë me forcë këtë rrëmbim, pasi sot këto veprime kriminale ndaj ish-Presidentit të Republikës janë kthyer në normë, pasi dhuna e policisë është përditë evidente. Liderët e opozitës me kalendar politik, thirren dhe arrestohen”, u shpreh Gjokutaj. (A2 Televizion)