Ekzekutohet me breshëri plumbash një 33-vjeçar në Shkodër. Vrasja ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dragoç dhe viktimë e plumbave mbeti Ramazan Mataj. Familjarët e 33-vjeçarit thonë se ai ishte kthyer nga Belgjika prej më shumë se një viti, ndërsa mohojnë që i riu të ketë pasur konflikte të mëparshme.
33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri automatiku brenda automjetit të tij në fshatin Dragoç. Kanë qenë banoret e zonës që e kanë gjetur të pajete të riun, brenda automjetit të tij tip Benz rreth orës 7:15 të mëngjesit të kësaj të diele.
Policia nuk ka ende një pistë konkrete për vrasjen e 33-vjeçarit, ndërsa familjaret mohojnë që ai të ketë pasur konflikte. Xhaxhai i viktimës, Naimi thotë se nipi i tij, i cili mbeti viktimë e plumbave ishte kthyer para një viti nga Belgjika dhe aktualisht punonte në ndërtim në Ulqin.
Makina ku 33-vjeçari u gjet i pajete rezulton të jetë qëlluar me breshëri plumbash nga armë kallashnikov dhe autorët mund të kenë qenë dy persona, të cilët i kanë zënë prite duke e vrarë.
(A2 Televizion)