Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Endrit Sadedinin, i arrestuar tri ditë më parë gjatë një aksioni të zhvilluar në lagjen Pavarësia, pranë Lungomares, shkruan A2 CNN. 38-vjeçari, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore akuzohet për armëmbajtje pa leje, gjatë kontrollit atij iu gjet një pistoletë me karikator dhe municion luftarak.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Alba Ngresi, e cila miratoi kërkesën e prokurorisë për të lënë në qeli 38-vjeçarin Endrit Sadedinin.
Ai u ndalua nga policia më 19 shkurt dhe gjatë momentit të arrestimit, tentoi të qëllojë me armë në drejtim të policisë.
Endrit Sadedini është emër i njohur për policinë, pasi u ka shpëtuar dy atentateve të mëparshme. I pari i ndodhur në 2019, ku iu vendos një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk shpërtheu pasi u pikas në kohë nga Sadedini. Ndërsa atentati i dytë i ndodhur më 19 dhjetor 2021. (A2 Televizion)