Gjykata e Posaçme i konfirmoi masën e sigurisë arrest në burg Safet Bajrit, i cilësuar si një ndër të fortët e Shkodrës. Këtë të hënë ai doli para gjykatës së bashku me kushëririn e tij Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, ndaj të cilëve u caktua po e njëjta masë sigurie.
Ata akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në lagjen Kiras, në Shkodër. Behar Bajri dhe Astmer Bilali ndodheshin në burg, pasi janë arrestuar më herët në kuadër të operacionit Metamorfoza.
Në përfundim të seancës, Sokol Tahiraj, avokati mbrojtës i Safet Bajrit tha se prokuroria nuk ka prova për të fajësuar klientin e tij.
Safet Bajri u arrestua të premten dhe nën masa të rrepta sigurie u soll në Tiranë, ku u shfaq i buzëqeshur teksa futej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Zyrtarisht, SPAK njoftoi se Safet Bajri, në bashkëpunim me Behar Bajri (Brajoviç) dhe Astmer Bilali, kanë planifikuar, organizuar dhe vrarë me armë zjarri Fatbardh Liçin, i afërm i Ibrahim Liçit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër.
Sipas SPAK, motivi i vrasjes dyshohet ndër të tjera të jetë hakmarrja për vrasjen e Boran Bërçanës, i vrarë më 15 korrik 2018 bashkë me partneren e tij, Silvi Ndoci, pra një muaj para se të vritej Fatbardh Lici. Nga hetimi ka rezultuar se Behar Bajri i faturonte Ibrahim Liçit vrasjen e ish-punonjësit të policisë, Bërçana. (A2 Televizion)