Dënimi i dytë për korrupsion, GJKKO: 3.4 vite burg për ish-gjyqtarin Ilir Pashaj

Nga A2 CNN
5 Mars 2025, 19:59 | Kronikë

Dënimi i dytë për korrupsion, GJKKO: 3.4 vite burg për

Dënohet për herë të dytë për korrupsion ish-gjyqtari i Elbasanit, Ilir Pashaj.

Gjykata e Posaçme e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në 3 vite e 4 muaj burg.

Pashaj akuzohet edhe për fshehje pasurie dhe pastrim parash, shkruan A2. Si dënim plotësues, ish-gjyqtari nuk duhet të kryejë asnjë funksion publik për një periudhë 5-vjeçare. Pashajt i janë konfiskuar një apartament në Elbasan dhe një automjet, që sipas SPAK, dyshohet se janë pasuri e fshehur e ish-gjyqtarit.

Ilir Pashaj është një nga gjyqtarët që u largua me dorëheqje në vitin 2017 nga sistemi i drejtësisë, përpara se të niste procesi i vetting-ut.

Ai punoi më pas si avokat, por në korrik të vitit 2022 u arrestua si i implikuar në një çështje korrupsioni që përfshiu edhe gjyqtaren Zamira Vyshka. Ndërsa në janar 2024, Pashaj u dënua me vendim të formës së prerë me 1.4 vjet burg për korrupsion aktiv, dënim i cili u shlye me kohën e paraburgimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos