Dërgohet për gjykim dosja ndaj ish-drejtoreshës së Kadastrës në Sarandë

Nga A2 CNN
14 Maj 2024, 09:51 | Kronikë

Dërgohet për gjykim dosja ndaj ish-drejtoreshës së

Prokuroria e Sarandës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-drejtoreshës e ASHK dhe dy specialistët për "Shpërdorim detyre".

“Lejuan legalizimin e një objekti 4 kate me dokumente të falsifikuara, Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq ish-drejtoreshën e ASHK dhe dy specialistët për "Shpërdorim detyre".

Pas hetimeve disamujore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka mbyllur hetimet duke proceduar penalisht ish-drejtoreshen e ASHK-së Sarandë, A.D., nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy ish-specialistët e ASHK Sarandë, E.S. dhe E. L., të cilët me veprimet e tyre të kundërligjshme kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi, i cili ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Ndaj shtetasve më sipër, me vendimin nr 113, datë 13.5.2024, pas kërkesës së organit të akuzës, është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj ish-drejtoreshes së ASHK Sarandë, për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç”, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar edhe ndaj shtetasit G. H., si personi që ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Nga këto veprime të kundërligjshme të specialiteve dhe ish-drejtoreshës së ASHK Sarandë, është tjetërsuar pasuria (Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godinë katër kate me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik).

Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë të një subjekti të njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit, i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokalë të përfshire në paligjshmeri në ushtrim të detyrave shtetërore”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos