Krimi në familje ka shënuar sërish pasoja të rënda me dy viktima në një fshat të Konispolit, në jug të vendit.
Hysen dhe Shani Islamaj kanë mbetur të vdekur pas një konflikti mes tyre mëngjesin e kësaj të martën në banesë fshatin Shalës të Konispolit.
Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se gjatë konfliktit, 69-vjecari Hysen Islamaj ka goditur fatalisht me sëpatë bashkëshorten e tij Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur.
Konflikti dhe të bërtiturat u dëgjuan në distancë nga djali i tyre, Klementini 40 vjeç i cili ishte jashtë banesës, por nuk arriti të vinte në kohë për të parandaluar ngjarjen e rëndë.
I indinjuar kur ka parë nënën e tij pa jetë ai ka nisur të shtyjë të atin, duke e hedhur nga shkallët e oborrit të banesës.
Mendohet se rënia nëpër shkallë i ka shkaktuar vdekjen edhe Hysenit. Sakaq policia e mbërritur në vendngjarje ka shoqëruar djalin e viktimave, Klementin Islamaj dhe ka nisur marrjen e tij në pyetje për të zbardhur këtë ngjarje tragjike.
Për momentin nuk bëhen të ditura motivet e konfliktit mes çiftit të bashkëshortëve Islamaj që ka gjeneruar deri në përdorimin e sëpatës nga 69-vjecari ndaj gruas së tij. (A2 Televizion)