Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokaine, thika, përforcues grushti dhe armë sportive, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reaction”.
Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokaine, thika, përforcues grushti dhe armë sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe mbështetjes së informacioneve në rrugë operative se një shtetas kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe se mbante në banesë sasi lënde narkotike, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve organizuan punën për kapjen e tij, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
M. E., 36 vjeç, banues në Elbasan.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 36-vjeçarit, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokaine, 2 thika, përforcues grushti dhe 1 armë sportive.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)