Një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skemë abuzive të disa mjekëve dhe stafit spitalor të Onkologjikut në QSUT, të dyshuar për transferimin e pacientëve me kancer në spitale private për qëllime përfitimi.
I njëjti hetim, i drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj, ka hedhur dritë mbi mospërdorimin e një pajisjeje të instaluar prej vitit 2021 dhe kontrabandimin e ilaçeve spitalore shumë të kushtueshme për pacientët me kancer në dy farmaci private në kryeqytet.
Me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Tiranës miratoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun e Onkologjikut, Edmond Gashi dhe administratorin e një farmacie, Florian Marku.
Ndërsa për Brikena Qiriazin, zv.drejtoreshë e QSUT, Alketa Ymerin (Peren), mjeke në QSUT, Emiljano Lelën, koordinator në këtë institucion, Halil Gashin, administrator i një klinike private dhe Drilona Kishtën, ish-specialiste e zyrës së rrezatimeve në QSUT, u caktua masa esigurisë “detyrim për paraqitje”.
Gjatë hetimit është dokumentuar përmes përgjimeve telefonike dhe këqyrjes së komunikimeve elektronike, se Emiliano Lela merrte pacientët që prisnin radhën dhe i dërgonte jo tek mjeku ku ishin rekomanduar, por tek mjeku Edmond Gashi, veprim për të cilin përfitonte përqindje financiare.
Mjeku Gashi, sipas prokurorisë, i sugjeronte pacientëve të shkonin tek klinika e tij private, me pretendimin se në spitalin shtetëror kishte radhë.
Jo vetëm kaq, por ai është përgjuar teksa injoronte lajmërimet e infermierëve për pacientë me temperaturë në klinikën e tij.
Ndërsa, Halil Gashi, administrator i klinikës, nuk jepte fatura për operacionet e kryera, nderësa mbante në punë të pa regjistruar mjeken e QSUT, Alketa Ymeri (Pere).
Të dyshuarën Brikena Qiriazi, zv.drejtoreshë në QSUT, prokuroria e akuzon në lidhje me mosvënien në funksionim të një pajisjeje kobalto-terapie, që ishte instaluar që në vitin 2021.
Për më tepër, sipas prokurorisë, pajisja ishte lënë në kushte të papërshtatshme, duke u bërë burim rrezikuar për personelin mjekësor.
Ndërsa në lidhje me medikamentet e kemioterapisë, gjatë hetimit është provuar se flakonët që kushtonin nga 250 në 1500 euro, që duhet të sigurohen nga shteti, janë nxjerrë nga spitali dhe shitur nga dy farmaci private. (A2 Televizion)