Dosja ndaj Erion Veliajt, shorti përcakton treshen e gjyqtarëve që do ta gjykojnë

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2026, 10:29 | Kronikë

Dosja ndaj Erion Veliajt, shorti përcakton treshen e gjyqtarëve

Dosja penale në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të bashkëpandehurve të tij, do të jetë në duart e një trupe gjykuese të përbërë nga tre gra në Gjykatën e Posaçme. Shorti elektronik i kësaj gjykate ka përzgjedhur ditën e sotme gjyqtaren kryesuese që do të drejtojë procesin gjyqësor në ngarkim të Veliajt dhe të bashkëpandehurve dhe bëhet fjalë për gjyqtaren e Engjëllushe Tahiri, e cila do të ketë pozicionin e kryesueses në trupën tre anëtarësh, e ndërkohë që në krah të saj do të jenë dy gjyqtaret e tjera Alma Kodraliu dhe Rudina Palloi.

Gazetari i A2CNN, Armand Bajrami, tha: “Dy prej tyre janë gjyqtare të emëruara në Gjykatën e Posaçme. Gjyqtarja Rudina Palloi prej më shumë se dy vitesh dhe gjyqtarja Alma Kodraliu e cila është emëruar në Gjykatën e Posaçme vetëm në muajin janar, pasi ka qenë më herët në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë që gjyqtarja Engjëllushe Tahiri është gjyqtare e pjesës së skemës së delegimit, pra një gjyqtare e cila ndonëse është pjesë e Gjykatës së Tiranës, është e deleguar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për të shqyrtuar çështje në Gjykatën e Posaçme. Aktualisht, nga këto tre gjyqtare, të paktën kryesuesja e dosjes ndaj Veliajt, gjyqtarja Tahiri, ka në duart e saj si dosje më të rëndësishme në Gjykatën e Posaçme, pikërisht dosjen e “Plumbit të artë”, një dosje voluminoze dhe me shumë të pandehur”.

“Ndërkohë që në ditët në vijim, pas përzgjedhjes së treshes gjykuese që do të ketë në duar dosjen Veliaj, në varësi të ngarkesës së tre gjyqtarëve do të përcaktohet edhe seanca e parë në të cilën Erjon Veliaj do të përballet me gjykatën tashmë jo më në një shqyrtim paraprak, sikurse ishte deri para pak javësh, por në gjykimin në themel ku do të merren në shqyrtim nga një treshe gjykuese të gjitha akuzat e ngritura nga SPAK kundër tij. Po ashtu, do dëgjohen pretendimet e vetë kryebashkiakut, por edhe të bashkëpandehurve. Në këtë përballje gjyqësore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili qëndron i izoluar në qeli prej 10 shkurtit të vitit të shkuar, përballet me pesë vepra penale që i vë mbi shpatullat e tij Prokuroria e Posaçme, atë të korrupsionit, të pastrimit të parave, të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë, të futjes së sendeve të paligjshme në burg dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, shtoi Bajrami.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos