Në procesin gjyqësor të dosjes "Partizani" Gjykatë e Posaçme vijoi të hënën të dëgjojë dëshmitarët e kërkuar nga SPAK. Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në periudhën 2007-2009, Ylli Pango, ka thënë në dëshminë e tij që, për shkak se ngjarjet janë zhvilluar 18 vite më parë e ka të vështirë të mbaj mend ndonjë dokument ligjor.
“Unë falënderoj median, që kanë botuar disa dokumente, që më kanë rifreskuat mungesën. Unë nuk do flas me rezerva, por unë do flas sa mbaj mend. Unë kam mbuluat 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam iniciuar vetë. Thuhet që një pjesë e mirë e Partizanit ka qenë e zaptuar ato kohë. Në një nga mbledhjet e para të qeverisë, u kërkua të ecej me privatizimet. Mua më rezultoi të kisha në varësi, qendrën e derdhjes së monumenteve të kulturës, një qendër të arteve, si edhe kompleksin shumësportësh. Ajo pjesë që duhet të merrej nga ministria duhet të kishte një dokumentacion. Që nga qeverisja Nano është dhënë urdhri që të merrej nën administrim nga Ministria”, citohet të ketë thënë Pango, përcjell A2 CNN.
“Unë jam rritur në atë lagje, që fëmijë. Di që edhe pishina aty nuk funksiononte, për shkak se kishte një "pushtim". Ju thashë që kjo është një memorie e ngjizur, nga ç’mbaj mend por edhe dokumente që kam lexuar më vonë, të publikuara në media. Për të marrë në administrim këto objekte nga ministria nuk më kujtohet. Edhe sa i takon faktit nëse ka pasur ose jo aktivitet klubi shumësportësh Partizani, nuk më kujtohet. Nuk e mbaj mend, nëse ka qenë e regjistruar ndonjë shoqatë. Unë nuk kujtoj që po sulmohej, apo përvetësohej ndonjë terren sportiv. Me sportin nuk kam pasur probleme. Më shumë në fokus kam pasur turizmin dhe trashëgiminë kulturore”.
Pango ka kujtuar edhe marrëdhënien e tij me funksionarët e klubit Partizani. “Shtetasin Afrim Tola e kam dëgjuar si emër së fundmi. Nëse e shoh si fytyrëz, mbase e kujtoj. Ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi më ka vënë në dukje, se kishte kërkuar vijim e një procedure për regjistrim, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar e disa prona zaptuar. Më kujtohet, se ma kanë përmendur oficerët në SPAK kur më kanë pyetur. Violeta nuk e njihte mirë këtë problem nga ana juridike. Nuk më kujtohet nëse kam bërë gjë 18 vjet përpara për shkak të asaj shkrese. Nuk e di sipërfaqen e ish kompleksit sportiv partizani. Logjika që po kërkoj unë, është që një ministër që mbulonte 4 sektorë, nuk mund të kujtojë detaje të tilla”, ka thënë Pango.
“Në tërë botën, objektet sportive, nëse gjen një koncesionar i ke bërë nder vendit. Me logjikë mendoj se e kam bërë këtë gjë mbi bazën e idesë se përmes koncesionarëve mund t’i jepnim më shumë zhvillim sportit”.
SPAK: A ju kujtohet shkresa e familjeve Llagami, Begeja etj. për privatizimin?
Pango: Kjo është e mbartur nga leximet e dokumentacionit në media. Nëse unë jam para një kërkese që shterohet në disa mbledhje qeverie, për të bërë privatizimin, dhe mua më vjen një kërkesë, ku thuhet se ekziston prona, atëherë unë duhet të them mos ja jepni pronarit? Me siguri që, të pengoje privatizimin në atë kohë, në 2007, unë kam dhënë një pëlqim. Mesa mbaj mend ma ka kërkuar Genc Ruli. Për këtë kërkesë unë kam dhënë një pëlqim.
SPAK: Shkresën me të cilin keni dhënë dakordësi për privatizimin e klubit shumësportësh është e vitit 2008. Meqë ndryshimet e ligjit kanë qenë që objektet te jepeshin me koncesion, si e keni dhënë pëlqimin për privatizim?
Pango: Mendoj se ndryshimi ka qenë për koncesion, por edhe për privatizim. Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, nuk përjashtohej privati.
SPAK: Në gusht 2008 keni kërkuar pakësim të fondeve të investimit nga Klubi Shumësportësh Partizani. Ju kujtohet?
Pango: Nuk më kujtohet. Unë firmosja me mijëra shkresa.
Av. Klodiana Gjyzari (mbrojtëse e Sali Berishës): Drejtoria e Sporteve a merrej me regjistrimin?
Pango: Nuk e kisha as unë tagrin për privatizimin. Unë madje kam debatuar me një ministër tjetër, sepse më dukej pa sens që Ministria e Sporteve të mos kishte asete. Të gjitha asetet i kishte veç Ministria e Ekonomisë.
Av. Klodiana Gjyzari (mbrojtëse e Sali Berishës): A ka komunikuar ndonjëherë Malltezi me ju për privatizimet?
Pango: Nuk kujtoj të kem folur me Malltezin as për sportet as për privatizimet. As me z. Malltezi e as me z. Berisha.
Av. Klodiana Gjyzari (mbrojtëse e Sali Berishës): A mund të jepej me koncesion një objekt i pushtuar?
Ylli Pango: Nuk kam folur për objekte të pushtuara, por për troje të pushtuara. Ligji kishte të bënte me privatizimin dhe jo me ndryshimin e destinacionit. Unë kam qenë dakord me privatizimin, por jo me ndryshimin e destinacionit.
Personi që ka debatuar me kryeministrin në Kuvend për ndryshimin e destinacionit ka qenë Erion Braçe. Nuk më kujtohet të kem biseduar ndonjëherë me Sali Berishën për çështjen e Partizanit.
Jamarbër Malltezin e njoh, por ai nuk ka ndërhyrë asnjëherë pranë meje për privatizimin e Klubit Shumësportësh Partizani. (A2 Televizion)