Përveç Sky dhe EncroChat, pritet që të zbërthehen edhe dy aplikacione të reja, në të cilat dyshohet se efektivët e policisë kanë pasur komunikime me elementë të krimit.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se EUROPOL është duke hetuar edhe këto dy aplikacione të reja dhe zbërthimi i tyre do të bëjë që 13 mijë e 500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës të plotësojnë një tjetër formular vetëdeklarimi.
Ministri i Brendshëm u ndal dhe te grabitjet me armë të shtuara në prag të festave të fundvitit. Përgjatë prezantimit të strategjisë në mbrojtje të viktimave të krimit Balla u shpreh se pas konfiskimit të pasurive të ardhura nga krimi këto prona nxirreshin në ankand dhe mund të bliheshin nga vetë pronarët e atyre që u ishin sekuestruar.
Balla paralajmëroi se kjo praktikë do marrë fund dhe se pronat do të vihen në shërbim të institucioneve shtetërore jo pak prej të cilave paguajnë dhe qira për ambientet e marra. (A2 Televizion)