Ministria e Brendshme ka shpallur “non grata”, për një periudhë 10-vjeçare, dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin. Sipas informacioneve dhe të dhënave që ka siguruar Njësia e Antiterrorit (ATA), ata konsiderohen me rrezik potencial për sigurinë kombëtare.
Shpallja e tyre të padëshiruar në Shqipëri u bë me arsyetimin se dyshohet se kanë kryer veprimtari armiqësore kundër sovranitetit të vendit, sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues, si edhe pas dyshimeve se janë anëtarë të organizatave terroriste që përkrahin dhe kryejnë veprime anarkiste kundër shtetit shqiptar.
Urdhri i ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit, shkruan A2CNN.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, për Valon Belën është firmosur edhe urdhri i dëbimit të menjëhershëm nga territori i Shqipërisë, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Ai identifikohet si një figurë aktive në skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbështetës i koalicionit VLEN, ndërsa Bekir Halimi përshkruhet si një islamist radikal.
Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person “non grata” edhe Ikballe Hudutin, një shtetase nga Kosova, e akuzuar se ka lidhje me regjimin iranian. Shteti shqiptar i ka ndaluar Hudutit hyrjen në territorin shqiptar për 15 vjet.
Para shpalljes “non grata”, Huduti kishte postuar edhe foto dhe video teksa merrte pjesë në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë. (A2 Televizion)