Dy shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, imami Bekir Halimi dhe politikani e analisti Valon Belja, janë shpallur persona të padëshiruar në territorin e Shqipërisë nga Ministria e Brendshme.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, vendimi është marrë pas informacionit të përcjellë nga Drejtoria e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se dy shtetasit dyshohen për kryerjen e veprimtarive të konsideruara armiqësore ndaj shtetit shqiptar.
Sipas informacionit të administruar nga autoritetet shqiptare, veprimtaria e tyre është vlerësuar si një kërcënim për sigurinë e vendit dhe qytetarët shqiptarë, çka ka sjellë vendimin për ndalimin e hyrjes së tyre në territorin shqiptar.
Bekir Halimi është imam nga Maqedonia e Veriut. Në vitin 2016, ai u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, pas përplasjeve me drejtuesit e këtij institucioni.
Ndërsa Valon Belja është i njohur si analist politik dhe ish-zyrtar në Maqedoninë e Veriut. Ai ka komentuar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet politike në rajon dhe më herët ka mbajtur edhe detyrën e shefit të kabinetit në Ministrinë e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Vendimi për shpalljen e tyre persona të padëshiruar vjen, sipas burimeve, pas vlerësimit të informacionit të mbledhur nga strukturat e Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Autoritetet shqiptare dyshojnë se dy shtetasit kanë kryer veprimtari në kundërshtim me interesat dhe sigurinë e shtetit shqiptar.
Deri në këtë moment, nuk bëhen të ditura publikisht detaje të tjera mbi informacionin e administruar nga strukturat shqiptare të sigurisë që ka çuar në marrjen e këtij vendimi. (A2 Televizion)