E diela e përgjakshme në rrugë. 2 viktima dhe 2 të plagosur në Korçë, Tiranë dhe Pogradec

Nga Igli Çelmeta
4 Tetor 2026, 19:28 | Kronikë

Tri aksidente të rënda kanë ndodhur këtë të diel në vend duke shkaktuar dy viktima dhe dy të plagosur rëndë.

Në hyrje të Korçës, në afërsi të fshatit Çiflig, një punonjës policie, pasi kishte lënë shërbimin, ka goditur me mjetin e tij një biçikletë. Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i biçikletës, rreth 60 vjeç, shkruan A2. Ndërsa, punonjësi i policisë ka mbetur i plagosur rëndë.

Viktima, 60-vjeçari nga Bulgareci po çonte qumështin nga fshati i tij drejt qytetit të Korçës me biçikletë.

Një tjetër aksident me vdekje është shënuar në Tiranë. Një 20-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi duke drejtuar motorin aksidentoi për vdekje një 75-vjeçare këmbësore në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

Ndërsa në Pogradec, një kamion është përplasur me një biçikletë që drejtohej nga një 26-vjeçar. Policia bën të ditur se 26-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e përplasjes dhe është dërguar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos