U kap me kokainë, do ta shiste pranë shkollave të Tiranës, 26-vjeçari bie në prangat e policisë

Nga A2 CNN
4 Tetor 2026, 10:11 | Kronikë

U kap me kokainë, do ta shiste pranë shkollave të Tiranës,

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të tentativës për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Në prangat e “bluve” ka rënë një 26-vjeçar nga Elbasani. Sakaq, policia ka sekuestruar një sasi kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, si dhe një thikë.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë)”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos