"E qëllova 3 herë dhe ika me vrap nëpër ferra", Artan Tafani rrëfen vrasjen e Çajup Selimit

Nga Armand Bajrami
4 Qershor 2025, 14:11 | Kronikë

"E qëllova 3 herë dhe ika me vrap nëpër ferra",

I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka rrëfyer në detaje se si e ka kryer vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë, në vitin 2021, pasi u përfshi në veprimtarinë kriminale të grupit të strukturuar që dyshohet të jetë drejtuar nga Laert Haxhiu.

Në dëshminë e siguruar nga A2 CNN, Tafani zbulon se e ka pritur Selimin në hyrje të pallatit ku banonte dhe më pas e ka ndjekur teksa ngjiste shkallët deri në katin e dytë, ku e qëlloi për vdekje.

“Pasi shkova tek pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë si “Benzi” që kishte ai. Isha ballë për ballë me atë. Kisha maske Covid-i dhe një kapele. Po më shikonte dhe pati si dyshim, u fut në hyrje të pallatit. Ai u ngjit në kat të parë, kat të dytë, unë isha nga mbrapa tij. Ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë, të kuqe. Aty e qëllova nga mbrapa, 3 herë e shkrepa. E qëllova, një herë në shpatull dhe dy herë të tjera por se di ku e kapi”, rrëfen Tafani.

Më tej ai zbulon edhe mënyrën si u arratis pasi kreu ekzekutimin, për të cilin pretendon se ka përdorur një armë të llojit “Zastava”.

“Ika me vrap për nga burgu Bënçës, rashë në ca ferra aty si jashtë qytetit. Armën e kisha me vete, ‘Zastava’, bereta e vogël me silenciator. S’po gjeja rrugicën që të dilja. Sipas planit duhet të dilja tek lumi Vjosa ku do vinte Ligori”, zbulon 39-vjeçari.

Vrasja e Çajup Selimit dyshohet se është kryer vetëm për çështje nderi, pasi sipas dëshmisë së bashkëpuntorit të SPAK, tregtari kishte ngacmuar seksualisht mamanë e njërit prej anëtarëve të grupit të tyre, Erisiano Abedini që thirej me nofkën “Cano”.

Në dijeni të këtyre ngacmimeve ishte vënë dhe Erisiano, i cili i kishte kërkuar Laert Haxhiut, ta ndihmonte për ta vrarë tregtarin në Tepelenë.

Në atë kohë, Marjus Tafani kishte vetëm pak kohë që kishte hyrë mes rradhëve të grupit të Laert Haxhiut, i cili i ka dhënë dy herë, një herë 1 mijë euro dhe një herë 200 euro, për para xhepi. Madje njohja e tij me Laert Haxhiun është bërë përmes Lulzim Arapit, të cilin ai e ka njohur brenda në burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos