Disa transkripte në SKY ECC mes Dritan Rexhepit dhe të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, të paraqitura si prova e re në proces u bënë objekt debati mes palëve në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Posaçme.
Avokatja e Dritan Rexhepit, Joana Qeleshi, kërkoi të dinte nëse materiali i sjellë ishte i plotë, apo nëse në seancat në vijim do të paraqiteshin të tjera materiale si provë e re.
Prokurorja e Posaçme, Elida Kaçkini, sqaroi se aktet janë pjesë e dosjeve të tjera hetimore.
“Nuk e kemi pasur të mundur t'i kemi më parë. Komunikimet janë të shumta, por për efekt të këtij procesi kemi nxjerrë ato komunikime që janë në dobi të këtij gjykimi. Kemi marrë komunikimet që identifikojnë përdoruesit, të pandehur në këtë gjykim. Duhet të qartësoj se mes të pandehurve në këtë proces gjyqësor, komunikimet janë të plota. Ato që janë hequr janë komunikime të tyre me persona të tjerë. Në këtë kuptim ne i qëndrojmë sekretit hetimor, pasi për Dritan Rexhepin kemi dyshime edhe që është i përfshirë në trafikun e drogës. Në këtë gjykim ai është i pandehur për tjetër vepër penale", tha Kaçkini.
Më tej, për t'i dhënë kohë mbrojtjes për të parashtruar kundërshti për provat e reja procesi u ndërpre dhe u shty për në datën 20 qershor, ora 10:00. (A2 Televizion)